Nga Zylyftar Hoxha
Megjithëse në pak rreshta, por se ç’është Dëshnica dhe ç’janë dëshnicarët, e mëson nga dy udhëtarë të huaj, bashkëshortët anglezë (piktorë), Jan dhe Cora J. Gordon, të cilëve u ka rënë të flenë një natë në Bubës, gjatë një udhëtimi nga Këlcyra në Bubës e Berat, në vitin 1925.
Ja ç’thonë ata:
“Ndërsa ai (është fjala për Xhaferr Memajdinin (Bubësin), kishte dalë për t’u marrë me kafenë ceremoniale, nën dritën e dobët të llambës me vajguri, syri më zuri një copë të shtypur me ngjyra, të njohur. U zgjata. Kur ç’të shoh! Dora më kishte zënë një revistë amerikane. U përkula për të lexuar titullin: “Revista Periodike Letrare Amerikane”. O Zot i Madh! Në këto anë të Shqipërisë ku mezi shkel këmba e të gjallit!
Herë pas here i zoti i shtëpisë afrohej për të vazhduar bisedën me ne dhe herë-herë zhdukej për të ndihmuar gruan në detyrën e përgatitjes së darkës. Pa asnjë ankesë, e gjithë shtëpia ishte hedhur nga gjumi, në këmbë për të na pritur ne. Na solli edhe gazeta të tjera si “Mercure de France” dhe “Corriere della sera”, pasi ai dinte me shkrim e këndim të paktën pesë gjuhë. Shqipja, padyshim, që renditej e katërta dhe pastaj vinte greqishtja. Një darkë e shkëlqyer, e përgatitur aty për aty, shumë më mirë se ato që mund të të befasojnë në mjaft shtëpi fermerësh anglezë, u shtrua pjesërisht nga mikpritësi ynë dhe pjesërisht nga gruaja e tij e vogël, shumë e turpshme, një vajzë myslimane, të cilës detyra për t’iu shërbyer të huajve me duart e veta iu duk më tepër një vuajtje se kënaqësi. Mirëpo burri i saj i emancipuar i mënjanonte me kujdes të gjitha ndrojtjet e saj zakonore, madje të nesërmen në mëngjes e bëri që të dilte për t’i bërë një fotografi së bashku me foshnjën e saj…
Fjetëm në dyshekë të shtruar në dysheme dhe u ngritëm nga ai krah që ramë. Të nesërmen në mëngjes do ta kishim shpërblyer mikpritjen po të mos na ish drejtuar me një buzëqeshje qortuese, por bujare: “Nëse dikush që do ta njihte vendin mirë dhe do të bëhej gati të më paguante për një natë që kaloi në shtëpinë time, nuk do të bënte gjë tjetër veçse do të më fyente, unë nuk po e marr se ju e patët ndër mend një gjë të tillë.” Ne e kundërshtuam pasi kishim ardhur pa na ftuar dhe i ishim bërë barrë. “Nuk kini dëgjuar kurrë për mikpritjen e shqiptarit?!”- na pyeti. Ç’është e vërteta kishim dëgjuar për mikpritjen e shqiptarit, madje, pothuajse më shumë se sa duhej. Në profesionin e rëndomtë të përuljes së shqiptarit, kjo ndjenjë e mikpritjes ishte pothuajse i vetmi virtyt për të cilin ai kishte të drejtë ta ngrinte akoma zërin.
Me gjithë këtë, ne e themi hapur se deri tani, me përjashtim të bejlerëve të Këlcyrës, kjo mikpritje në qytetet e jugut mjaftohej më një apo dy lugë reçel dhe ndonjë filxhan kafe, kurse në fshat ndjenja e mikpritjes e ruan akoma karakterin e saj të dikurshëm si një domosdoshmëri universale. Atje, ajo është e vetvetishme.
U larguam nga shtëpia e këtij gjeniu mikpritës me një ndjenjë kënaqësie të madhe, kënaqësi jo që po largoheshim prej tij, por që e kishim zbuluar atë.
…Vazhduam të çapiteshim më tej… përpara lartësohej drejt qiellit masivi i madh i Tomorrit, çuka e shenjtë, e cila herë dukej dhe herë na humbiste nga sytë…
Pasi lamë pas fshatin Bubës…një xhandar hipur në kalë, i dërguar nga Berati për të na pritur, na mori në dorëzim nga xhandari i Këlcyrës, sikur të kishim qenë letër rekomande, kaq shumë kujdes tregonin autoritetet për personat tanë.”