Autori i masakrës së Selenicës, Ritvan Zykaj përveç familjes është braktisur dhe nga avokatët që i cakton shteti. Që nga dhënia e pretencës së prokurorisë me burgim të përjetshëm për 24-vjeçarin, seancat janë shtyrë pikërisht se avokatët nuk janë paraqitur fare.
Kujtojmë se vitin e shkuar, Zykaj vrau tetë persona në fshatin Resulaj të Selenicës. Në seancën e një dite me parë, ai është shfaqur i hutar, dhe e vetmja fjalë që ka thënë është vetëm një “Po”, si përgjigje ndaj pyetjes së gjykatës nëse pranonte të shtyhej seanca.
Lexo edhe: Prokuroria kërkon burg përjetë për Ritvan Zykaj
I vetmi dëshmitar i paraqitur ishte Fiqiri Serjani, fqinj i tyre, por dhe ai kërkoi të mos e thërrisnin më pasi nuk kishte mundësi financiare për të paguar transportin. Ai ka thënë se lagja ku ndodhi ngjarja e rëndë e 10 gushtit 2018 është boshatisur. Veç familjarëve të Ritvanit janë larguar edhe të afërmit e viktimave që i shpëtuan masakrës.
“Shtëpitë janë të mbyllura plotësisht. Kanë ikur të gjithë. Aty nuk ka më njeri”, u shpreh Serjani, duke thënë se nuk do të paraqitet më si dëshmitar. Prokuroria pritet të kërkojë burgim të përjetshëm për 24- vjeçarin, i cili ka deklaruar se kreu një akt të tillë pas akuzave se ai u vidhte pulat.
