Ish-presidenti dhe politikani i njohur, Bamir Topi ka sjellë këto ditë librin e tij, “NOKTURN” (Kur arsyeja errësohet nga pushteti). Shtatë vite pas largimit nga detyra e kreut të shtetit, Topi ka vendosur të vijë ndryshe para publikut me një botim sa autobiografik aq edhe politik.
Në këtë këndvështrim, libri sjell dhe dëshmi të rëndësishme për ngjarje të cilat publiku i njeh në mënyrë zyrtare, por jo prapaskenat. Një prej tyre është edhe momenti i zgjedhjes së tij si Kryetar Shteti.
Në një tjetër fragment, Topi tregon diskutimet në një mbledhje të fshehtë dhe rolin e Genc Rupit dhe të Nishanit, ku bie në sy se ai e etiketon pasardhësin e tij si “ish-oficer, intelektual mediokër dhe servil i Sali Berishës”.
Sipas Bamir Topit halli i vetëm i Berishës ishte ruajtja e pushtetit të tij dhe të mos shkonte në zgjedhje të parakohshme. “Halli i vetëm i Berishës ishte të mos shkonte në zgjedhje të parakohshme, që do të shënonte fundin e pushtetit të tij në kushte kur kishte krijuar një ndarje të thellë brenda partisë dhe sidomos në grupin parlamentar. Me gjithë situatën e vështirë brenda grupit, të cilën e krijoi vetë, Berisha kishte arritur në një moment të krizës së marrëdhënieve me mua personalisht, por edhe me një grup njerëzish kolegë e miq të mi, të cilët nuk e gëlltisnin më sjelljen e padrejtë të kryeministrit. Ai e dinte mirë se edhe në kushtet kur ishte i detyruar të mbështeste emrin tim për president, marrëdhëniet do të ishin institucionale dhe jo më të ngrohta. Për këtë Berisha tentoi edhe një herë të mbledhë grupin parlamentar në një orë të vonë të mbrëmjes disa ditë para fillimit të procedurave zyrtare, në sallën e mbledhjeve të zyrave të Kuvendit. Takimi po zhvillohej në kushtet e një tensioni në rritje dhe ishte përgatitur mirë nga kryeministri, i cili kësaj radhe vendosi të mos fjalë vetë, por të hedhë në sulm dy njerëz me tipologji të ndryshme, por të gatshëm për t’u përdorur. I pari e mori fjalën Genc Ruli, një mik i vjetër nga koha e gjimnazit, politikan, intelektual dhe qytetar, nga i cili nuk e prisja që të ngrihej dhe të më bënte thirrje për tërheqje në emër të interesave politike të qeverisë. I dyti ngrihet ministri i Brendshëm i Berishës, Bujar Nishani, sikurse e kemi thënë, njeri i futur në politikë nga unë, ish-oficer, intelektual mediokër dhe servil i Sali Berishës. Edhe ky filloi të moralizonte për tërheqja, duke më kthyer në atmosferën e mbledhjeve të viteve ’70, kur klasa punëtore demonizonte intelektualët dhe i dënonte për shfaqje të huaja. Një inskenim i shëmtuar, a thua se këta kishin ardhur të vetëm në pushtet dhe duhej ta administronin atë si të donin”.
