Miratimi i rregullores së Komisionit Hetimor për 25 Prillin, u shoqërua me debate të shumta mes opozitës dhe maxhorancës ditën e sotme.
Gjatë fjalës së tij në mbledhje, deputeti demokrat Ervin Salianji, propozoi që të lihen mënjanë ato që ai i quajti cic-micet proceduriale dhe të votohej rregullorja me qëllim që të niste sa më parë hetimi.
Deputeti i PD-së në mënyrë ironike thumboi dhe përfaqësuesin e socialistëve në komision, Nasip Naçon, duke thënë se ai si ish-prokuror duhet ta dijë që hajduti nuk e pranon që është i tillë por ai duhet të kapet.
“Kjo nuk është një çështje që kalon me cic mice mes nesh. Ky diskutim është një shqetësim madhor që e ndjen mbarë opinioni publik shqiptar në lidhje me vjedhjen e zgjedhjeve. Unë nuk di, po edhe kolegë që kanë qenë në profesion prokuror përballë si zoti Naço, duhet ta dinë dinë se një hajdut nuk e pranon që është i tillë, por hajduti kapet. Përpjekja për të shkuar te kjo, padiskutim që do të hasë në pengesa. Pengesa të dokumentuara qartë para publikut në 5 mbledhje, që po tentohen edhe sot. Ne duhet ta themi këtë para se të mbetemi në cic-mice të vogla proceduriale, të cilat zgjidhen. Ju ofruam herën e parë që propozoni çfarë të doni, të njëjtën gjë ju thamë prapë sot, kërkuat pesë minuta. Do dilni pesë minuta pastaj do ju japi urdhër ai tjetri dhe do të dilni prapë”, tha Salianji.
Pas debateve palët u dakordësuan dhe miratuan një rregullore të propozuar nga deputeti demokrat Edmond Spaho, në një tjetër komision hetimor. Gjithashtu në përfundim të mbledhjes u zgjodh me konsensus dhe sekretari i Komisionit Hetimor, i cili do të jetë i propozuari prej socialistëve, Klevix Xhoxhi.
