119 kg kokainë është sekuestruar nga policia në një konteineri me banane të nisura nga Amerika Latine drejt magazinave të kompanisë Zico Sh A në zonën e Vaqarit. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për BalkanWeb se kompania, e cila njihet për eksportin e bananeve me emrin Bana King kishte zhdoganuar ngarkesën në portin e Durrësit ku edhe pas kontrollit me skaner, sipas policisë, doli i pastër. Mësohet se me ndihmën e dy shoferëve të kamionëve Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu kontenieri po transportohej drejt magazinave në Vaqarr.
Policia njoftoi se kur kontenieri ishte në Romanat 3 persona ende të pa identifikuar i kanë prerë rrugën kamionit dhe kanë ushtruar për disa minuta kontroll në kontenier. Pa arritur të marrin gjë nga kontenieri ata janë larguar në drejtim të paditur. Policia thotë se për ngjarjen u njoftua nga vetë administratorët e firmës dhe pas mbërritjes në vendin e ngjarjes dhe kontrollit fizik të ngarkesës së bananeve, gjeti e sekuestroi 119 kg kokainë. Pas hetimeve të thelluara policia zbuloi se kontenieri i ardhur nga Amerika Latine gjatë tranzitit të ushtruar në portin Gioia Tauro në Itali ishte hapur dhe nuk ishte vulosur me plumbçe.
