Disa media raportuan se kryetari i PD-së Lulzim Basha është goditur me grusht gjatë një takimi me militantët e kësaj partie. Ndërkohë zyrtarë të Policisë Dibër bënë me dije se ngjarja në fjalë ndodhi disa minuta para mbërritjes së Bashës në Peshkopi, pra autoritetet vendore shprehen se kryedemokrati nuk është goditur.
Lulzim Basha ishte sot në Peshkopi për të zhvilluar një takim me mbështetësit e PD-së. Media thanë se Basha u godit me grusht gjatë një sherri mes militantëve të PD-së, por minuta më vonë lajmi nuk u publikua.
Burime pranë PD-së dhe Policisë së Shtetit bëjnë me dije se një ngjarje e tillë nuk ka ndodhur dhe lajmi i përhapur është fantazi e atyre që e publikuan. Drejtues të Policisë Dibër theksuan se disa persona në gjendje të dehur janë rrahur mes tyre pak minuta para mbërritjes së Bashës në qytetin verilindor.
Vlen për t’u theksuar fakti që zyra e shtypit të PD-së nuk ka dhënë asnjë informacion lidhur me takimin e Bashës në Peshkopi.
