Me moton “Rrugëtojmë së bashku”, klubi i aventurierëve të ‘Enduro Albania’ kanë ofruar spektaklin e radhës në Berat.
Panorama fantastike e qytetit ikonik të UNESCO-s, ka bërë bashkë të apasionuarit pas garave me motorr në një event të organizuar nga Bashkia Berat, duke elektrizuar atmosferën me një program i cili ka zgjatur nga mëngjesi në mbrëmje.
Spektakli nisi me një parakalim klasik të garuesve përgjatë rrugës kryesore “Antipatrea”, me sfond lagjen “Mangalem”, një nga ansamblet muzeale unikale të Shqipërisë dhe jo vetëm.
Më pas adrenalina e ofruar përmes profesionistëve të “Enduro Albania” u shtua gjatë garës me motorë, teksa garuesit ndiqnin itinerarin i cili përshkonte terrenin përbri Osumit.
Të shumtë ishin qytetarët beratas sikurse dhe turistë të ardhur nga vende të ndryshme të botës që e ndoqën këtë event, i organizuar nën kujdesin e veçantë të kryetarit të bashkisë Ervin Demo dhe ekipit të Drejtorisë së Turizmit dhe Aktiviteteve.
Gjatë mbrëmjes, koncerti i mbajtur në pedonalen e qytetit, uli edhe siparin e këtij spektakli të ofruar nga ‘Enduro Albania’, ose thënë ndryshe “Klubi më i madh i shpirtit të aventurës”.

