Nga Luçiano Golemi/
Gjashtë e disa minuta, ora. Në kalim të urës babaraqe të Babrrusë, shtrihej një varg shtëpish, në njerin ballkon grilat ishin puthitur me mermerin, asnjë shenjë imcake drite nuk besoj se prekte dhomat. Në një tjetër, vetëm një hap më tutje, babëloku me nipin në krah gjezdiste në rrugën e heshtur derisa shqeu sytë nga zhurma që shurdhoi ato anë.
Disa të rinj po afroheshin lehtë e qetë. Me trokëllima këmbëngulëse arritën t’i hapnin disa dyer. Fytyrat tej avllive ishin të vrazhda, ndonëse përplot energji dhe dashamirëse.
-Bujrum, -tha i madhi i konakut.
Në disa sekonda që s’pipëtiu as ajri, një vështrim i shpejtë rreth e qark e mbyti kapadaillëkun.Lopata, karroca, erë toke, por edhe një djep, që mendoja se tek filmi “14 vjeç dhëndër” do ishte i pari dhe i fundit që do kisha parë, por nuk më qëlloi ashtu.
Pa harruar të them se ne njërin katërcepësh të sfondit pash një fëmijë përkundte një tjetër fëmijë. Nuk flinin vetëm fëmijët, por edhe lopatat flinin, pas një dite të gjatë teksa kishin ngulur gjuhën pingul në tokë dhe e kishin punuar atë.
Kaq zgjati dhe sipari ra! Më pas nisi këndshëm një bisedë që lezetin ia ndjeja teksa dëgjoja, por nuk e shihja ligjëruesin. Kumtesën e kapa, për mos të thënë e parafytyrova para se të shkoqitej.
Flitej për dy kohë, për dy kohë që nuk përngjasonin me njera- tjetrën. Po flitej për trashëgiminë e asaj kohe që i kishte qederosur më shumë se sa hallosur këta njerëz dhe…
për pak, fare pak, biseda mori një trajektore tjetër, u bë më e zellshme, kur nisi të flitej për këtë kohë të uruar që të tatëpjetën e kishte bërë ‘të përpjetë’ në luftë me kundërforcën shkatarraqe të asaj rryme që dikur kishte kaluar dhe i kishte shkundur këto anë me mashtrime, duke kapërcyer njerëzillëkun, madje kishin qendruar gjatë, aq gjatë këtej sa që edhe sedërliu më i madh të ishte do i kishte vdekur ‘uni’ për të pritur diçka tjetër.
Por ata nuk ishin lodhur!
E para, kryesorja dhe më e rëndësishmja ishte se ata dinin të punonin vetë!
Të fisëm, të prerë, e me qepalla që nuk i përpëliteshin, ata nuk e zgjasnin dorën. Flas për dorën e lëmoshës, jo të ndihmesës dhe afërsisë që i jepnin mysafirit që kishte kapërcyer pragun.
Energji e pastër njerëzore, imponuese dhe shpotitëse për cilindo mendon se “qyli është i ëmbël”, se tallësit nuk tallen, se abuzuesit nuk ndëshkohen!
Aty për aty, kuptova se dëshira për të ndryshuar dhe për të lëvizur nga një qoshk në tjetrin kultivohet! Po, këtë e bën veç koha ama, askush tjetër!
Kjo dëshirë nuk mësohet, as shkelmohet, e as ndizet, fiket, grushtohet, imponohet, lexohet, sajohet, sajdiset apo gënjehet. Më pas vjen një moment që askush nuk lejon askënd, mesatar a jo, t’i tregojë atyre anën e shtegut që vetë s’e njeh!
Mos gabofsh deri në atë pikë sepse do të të urojnë “Udha mbarë”… sa më parë!
/Tirananews.al


