Ndërsa të gjithë rendin pas profesioneve që të mundësojnë një të ardhme të sigurt ekonomikisht ka dhe nga ata që rendin pas dëshirave, ëndrrave dhe pasioneve, të cilat më pas i kthejnë edhe në profesione.
Jonida Duro, sot balerinë profesioniste, dikur ka qenë një fëmijë i ndrojtur dhe i turpshëm që pasionin e madh për baletin e kishte të strukur thellë brenda saj.
Ishte nëna e saj që e shtyu Jonidën të frekuentonte një kurs baleti që kur ishte fare e vogël. Profesorët e saj të parë zbuluan se pas atij trupi të imët dhe asaj vajze të turpshme fshihej një potencial i madh. Pasi mori të gjithë formimin e duhur profesional, Jonida Duro ndër vite është pjesë e trupave të ndryshe, që nga; Teatri i Operas dhe Baletit deri tek televizionet më të mëdha në vend Vizion Plus, Klan tv e Top Channel.

Se fundi është rikthyer në Klan Tv tek e “E Diela Shqiptare”.
Në fakt ka një tjetër arsye pse të gjithë ata që e njohin Jonidën e quajnë artiste me plot kuptimin e fjalës. Ndoshta si shumë të tjerë, muajt e vështirë të karantinës, Jonidën e ndihmuan të zhvilloj një tjetër pasion të sajin, pikturën. Megjithëse gjithmonë kishte vizatuar dhe në shkollë njihej si një talent në këtë fushë, nuk kishte menduar se koha e lirë që i dhuroi izolimi do ta ndihmonte e frymëzonte aq shumë për të vënë në jetë një projekt të sajin që lindi në ato kohë të vështira, por që ajo e ka shumë përzemër.
Pikturat e saj do të ishin kudo. Në shtëpi, në rrugë, në club, në shkollë, kjo sepse Jonida pikturon mbi cohë, të preferuarat e saj janë ato të xhinsit.
“Procesi i pikturës i miksuar me muzikën time të preferuar më bënte të shkoja në një botë tjetër si dhe më dhe ndihmoi të kaloja vështirësitë që kisha në atë periudhë. Çdo ditë e më shumë entuziazmi shtohej dhe në mendjen time unë kisha krijuar si një tablo të qartë, gjithë “ biznesin” madje kisha pikturuar në mendjen time edhe interior designin e dyqanit tim me punimet e mia. Xhaketën time të parë të pikturuar e përfundova dhe ia tregova disa njerëzve të afërt. Ata mbetën të habitur dhe unë aty kuptova se sapo kisha përfunduar një punë me vlerë. Kisha shumë mbështetje dhe shtysë nga njerëzit e mi të afërm. Një ndër to është edhe kushërira ime Lilo Shehu, një stiliste e afirmuar që kemi bashkëpunuar ndër vite. Ka shumë njerëz të interesuar për xhaketa e xhinse të pikturuara, madje edhe jashtë Shqipërisë dhe jam shumë e lumtur për këtë. Kam pasur porosi nga Maqedonia, Amerika e Portugalia.”, shpjegon ajo në një rrëfim për tirananews.al.
Realizimi i pikturës në xhaketë është një proces pak i vështirë dhe kërkon disa ditë punë, por Jonida në çdo xhaketë që nis pret me padurim rezultatin e kjo e shtyn të punoj çdo herë e më shumë. Magjia që i jepet një xhakete ose një palë xhinseve të thjeshta nëpërmjet ngjyrave të bukura të shumëllojshme bën që të dukeni krejt stylish dhe të veçantë.

E ndërsa ndihet e realizuar si balerinë, synimi i saj edhe pse vetëm 30 vjeç është krijimi një brandi “Jonka handpaint”./ tirananews.al
