U desh një operacion masiv në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte, i shtrirë nga Roma dhe Castelli Romani, për të parandaluar që lufta për territorin e shpërndarjes së drogës të kthehej në një masakër., shkruan Gazeta Shqip. Kjo pasi prej vitesh tashmë armët ishin ndezur, në tentativa për të hequr qafe rivalët. Një luftë e vërtetë mes dy grupeve italo-shqiptare, me drejtues nga njëra anë Ermal Arapajn të njohur me nofkën “Ufo” , e nga ana tjetër Elvis Demçen.
Kush janë Ermal Arapaj dhe Elvis Demçe
Hetimet e kanë gjenezën shumë herët në kohë. Ato nisin më 27 dhjetor të 2017-n, kur në Artena gjendet i karbonizuar trupi i Cristian Di Lauro, i cili ishte zhdukur ditën e Krishtlindjes.
Një vrasje brutale që i dha mundësinë karabinierëve të Frascati që të nisnin një seri hetimesh dhe të thelloheshin edhe më tej tek figura e Arapajt dhe sesi i kishte futur këmbët në një grup të mirëstrukturuar. Ndërsa Demçe ra në radarët e hetuesve të Romës në Prill të 2020-s, menjëherë pasi doli nga burgu dhe u la në arrest shtëpie.
Hetimet të cilat zgjatën nga 2017 deri në 2020-n, bënë të mundur që autoritetet të binin në gjurmët e aktivitetit të pandërprerë të dy grupeve italo-shqiptare, “të cilët kishin një strukturë organizative solide dhe armë në dispozicionin e tyre”. Kundërshtarë të angazhuar në mënyrë të qëndrueshme në shpërndarjen e kokainës dhe hashashit.
Figura e Demces, që mbizotëronte në periferinë lindore të Prenestino-s, sipas hetuesve është në mënyrë të veçantë e spikatur. I konsideruar si pjesë e rrethit të Piscitelli-t, profili i tij është e një krimineli të rrezikshëm, i karakterizuar nga vullneti për të realizuar “me shpejtësi, nëpërmjet furnizimit me sasi të mëdha droge dhe marrjen e përfitimeve me mënyra të dhunshme”. Me pak fjalë, një kriminel i gatshëm për të bërë gjithçka. Emri i tij përfundoi në qendër të hetimeve për vrasjen e Federico Di Meo në 2013.
Konflikti mes Arapajt dhe Demçes
Arapaj e kishte provincën e rëndësishme. Ndërsa Demçes nuk i mjaftonte Roma. Kjo ishte dhe arsyeja përse dyshja, dikur në paqe, nisën luftën mes tyre. Sipas hetimeve të karabinierëve, tensionet nisën kur Elvis Demçe filloi të ‘reklamonte’ kontrollin e shesheve të shpërndarjes në Velletri, të drejtuara nga Ermal Arapaj, deri ditën kur Demçe doli nga burgu. Bisedat e përgjuara konfirmuan urrejtjen e Demçes për bashkëkombësin e tij, i cili pas arrestimit të tij kishte marrë menaxhimin, por pa i dhënë në këmbim asnjë të ardhur ekonomike.
Një fyerje kjo. Mungesa dëmshpërblimit bëri që Demçe të ndërmerrte një atentat ndaj rivalit të tij më 9 korrik të 2020-s në komunën e Lanuvio. Një atentat që Arapaj arriti t’i shpëtonte duke qëlluar i pari atentatorin që Demçe kishte porositur për eliminimin e tij. Ai e plagosi atë në këmbë. Mëngjesin e 5 shtatorit 2020, grupi i Demçes i vuri zjarrin një vile dhe makinave të Arapajt dhe partneres së tij në Velletri.
Një përshkallëzim i dhunshëm që e detyroi Arapajn të arratisej drejt Spanjës. Megjithatë pauza zgjati për një kohë të shkurtër. Aq sa në momentin që u rikthye në Itali, Arapaj kishte nisur të planifikonte në mënyrë të detajuar eliminimin e Demçes. Një plan ky që dështoi nga hetimet e operacionit Alba Bianca, në 9 shkurt të 2021-t, kur karabinierët e Latina vunë në pranga Arapajn.
Pas arrestimit, autoritetet zhvilluan kontrolle në një banesë në Fermo ku jetonin Arapaj dhe partnerja. Aty u zbulua një pistoletë, një karikator, fishekë dhe një maskë silikoni me fytyrë mashkullore, të cilat hetuesit besojnë se do të përdoreshin për vrasjen e rivalit Elvis Demçe.
