Në njësinë numër 5 janë hapur zyrat e reja për aplikimet për karta identiteti duke trefishuar kapacitetet, e për të cilat nuk do të duhet që qytetarët të presin në radhë.
“Tirana e ka kryer misionin e vet për tëzhdukur radhët e gjata”, tha Veliaj gjatë inaugurimit të ambienteve të reja.
“Jam shumë i lumtur sot që bashkë me dy ministrat hapim sot një njësi të dedikuar të Aleat-it për kartat e identitetit dhe pasaportat, për atë që ndoshta është qyteti i dytë më i madh pas Tiranës, Njësia 5. Njësia 5 ka kaluar nga 3 sportele në 8 sportele, pra thuajse kemi trefishuar aksesin për të gjithë qytetarët që marrin shërbim në 4-5 minuta”, tha Veliaj.
Ai nënvizoi se falë hapjes së zyrave të reja të dedikuara për aplikimin për mjetet biometrike të identifikimit në të gjithë kryeqytetin, janë zhdukur radhët e gjata. Zyrat e reja për aplikimin për letërnjoftimet elektronike do ju vijnë në ndihmë edhe zonave rurale, që dikur kanë qenë ish-komuna. Për të lehtësuar shërbimin ndaj banorëve të këtyre zonave, shërbimet e zonave të ndryshme janë grupuar nëpër qendrat administrative më të afërta.
“Me Tiranën rurale po i grupojmë te qendra administrative më e afërt. Kjo është arsyeja pse te rrethrrotullimi i Shkollës Teknologjike kemi zyrën që ka bashkuar Njësinë 6 me 7, për ta liruar zyrën e Kombinatit kryesisht për Ndroqin, Pezën dhe Vaqarrin. Besoj me këtë frymë do të vazhdojmë edhe në njësitë e tjera rurale, për t’u siguruar që hyrja e tyre e parë në qytetin e Tiranës të jetë edhe baza më e madhe e shërbimeve. Ndërkohë, shërbimet ofrohen edhe në njësitë e tyre administrative, sidomos sipas raportit të banorëve. Shëngjergji ka më pak banorë, ndërkohë që Kashari është një zyrë më vete”, theksoi Veliaj.
