Pas verdiktit të Komisionit të Venecias duket se tashmë është e vendosur që partitë e opozitës do të grupohen rreth Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Aleatët e PD, kryerepublikani Fatmir Mediu dhe kryetari i PDK Nard Ndoka gjykojnë se strategjia më e mirë që votat e opozitës të prodhojnë sa më shumë mandate është dalja me dy koalicione.
“Mendoj që ka një historik elektoral, gjithsecila parti politike, ka personalitete në lojë të cilat kanë vlerë politike dhe elektorale dhe në bazë të tyre ndërtohet marrëdhënia. Gjasat janë që ndoshta duhet të shkojmë drejt dy koalicioneve”, deklaroi kryetari i PR për Vizion Plus.
Ndërsa nënkryetari i PDK ka nënvizuar se “Unë shikoj mundësinë e daljes me dy koalicione. Besoj që kjo është një metodë për ta fundosur edhe skemën e Ramës vetë, pra për maskimalizimin e votave”!
Ende nuk është e qartë se cila parti do të pranojë të garojë me siglën e LSI, por dihet se Fatmir Mediu do të jetë me PD, e po ashtu edhe Nard Ndoka, i cili pritet të garojë sërish në Shkodër.
“Edhe historia ime personale padiskutim që është e lidhur me të djathtën, është e lidhur me PD dhe padiskutim që unë e shoh veten pjesë të një koalicioni me PD”, deklaron Ndoka.
