Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca ka një shkrimtar që ka ndikuar më shumë në jetën e saj dhe ai është babai, Faik Ballanca. Për “Gjurmë” nga Edlira Prendi, avokatja Ballanca rrëfen si e humbi babain kur ishte fëmijë dhe si e njohu nëpërmjet shkrimeve, tregimeve të tij dhe romanit të vetëm të tij “Nomeja e largët”.
“Im atë ka qenë një nga ato kolonat shumë të rëndesishme të jetës sime, apo ndikuesi thelbësor në jetën time, pa qenë prezent. Unë e kam humbur babain kur kam qenë vetëm 3 vjeç e gjysëm, kështu që unë e kam njohur nëpërmjet mënyrës se si ka shkruar, nëpërmjet thënieve të njerëzve te tjerë, nëpërmjet asaj që ai ka qenë dhe modelit që ai ka dhënë; një shkrimtar dhe gazetar i shkëlqyer që në atë moshë aq të re arriti të linte kaq shumë tekste; qoftë krijmtari në publicistikë ashtu edhe në tregimin e shkurtër, dhe në këtë roman.
Ky roman nuk u botua sa babi ishte gjallë dhe në fakt ka qenë një nga arsyet kryesore të një pakënaqësie shumë të madhe që ai kishte me botën. Romani u botua vite më vonë për here të parë kur unë kam qenë në klasën e 7. Kështu që kuptohet kishin kaluar shumë vite, u rimor sepse situata politike kishte filluar të ndryshonte, vendi filloi të hapej dhe ata që ishin miqtë e tim eti, kolegët e tij e konsideronin si një premtim që duhej ta mbanin për të pasi libri ishte vërtet i shkëlqyer”,-rrëfen në “Gjurmë” Erinda Ballanca.
Për avokaten Ballanca ky roman dhe e gjithë krijmtaria e babait të saj tregon se ai ishte një gjeni i letrave shqipe. ”Unë jam shumë kritike në lexim, edhe kur janë gjërat e njerëzve të mi. Dhe jam përpjekur vazhdimisht të mos them që duhet lexuar vetëm sepse është libri i babit tim. E kam lexuar duke u munduar të isha krejtësisht kritike dhe them që është një nga tekstet më interesante të kohës së komunizmit, i shkruar në fillim të viteve 70, dhe që është edhe sot tërësisht real.
Pra nëse ne e marrim dhe e lexojmë këtë librin sot mund të duket sikur është shkruar përpara 4 viteve, 7 viteve, 10 viteve; në te gjitha rastet. Pra sa herë që e lexon e gjen shumë të freskët në kohë. Është një libër tërësisht befasues me një kolorit të jashtëzakonshëm që na jep një Shqipëri tjetër, e cila në atë ngërthimin e realiteteve të asaj kohe, krijonte lidhjen me kujtimin harresën, problemin, jetën e fshatit, emancipimin, marrëdhëniet njerëzore.
Kështu që nuk dua të them shumë më tepër sepse siç mund ta kuptoni kjo është një nga ato çështjet shumë emocionale për mua, por mund të them se në çdo gërmë që unë lexoj të atyre që im atë ka lënë, kuptohet në një moshë shumë të re, ai ka ikur kur ka qenë 32 vjeç, kështu që mund ta kuptoni sa i ri ka qenë; ka qenë një gjeni i letrave shqipe në gjithë kuptimin e vet. Dhe sigurisht humbja ime është katastrofike se humbja e njërit prej prindërve është katastrofa më e madhe që mund t’i ndodhë njerëzve; humbja nuk ka qenë vetëm e imja, humbja ka qenë edhe e letërsisë shqipe. Dhe çdokush që e lexon këtë libër të cilin ai e ka bërë në të 30 e kupton se çfarë potenciali ai do të kishte”.